Luis Armstrong: Çfarë mrekullie është kjo botë / shqipëroi Traboini



LUIS ARMSTRONG
4 gusht 1901 - 6 korrik 1971


Luis Armstrong dhe Grace Kelly në vitin 1956

I njohur me emër të shkurtuar  Satchmo  ose Pops,  Luis Armstrong ishte  muzikanti  më me influencë në xhazin amerikan, i njohur si trompetist dhe këngëtar lirik. Ka lindur në një familje shumë të varfër afro-amerikane në New Orleans dhe ishte nip i një skllavi. Në vitin 1920 shkon në Çikago e cila ishte qëndra e muzikës xhaz në Amerikë dhe fillon veprimtarinë muzikore. I bërë i njohur, e konsideronin trompetistin më të mirë në botë, e kërkojnë në New York  por mbas një viti kthehet sërish në Çikago. Në vitin 1930 gjendet në Los Angeles por  për shkak të vështirësive ekonomike, Amerika ishte në depresion ekonomik,  ndaj vendos të shkojë në Europë. Pas kthimit nga Europa nisin ta aktivizojnë edhe nëpër filma. Mbetet sërish rrugëve derisa në vitin 1943 që vendoset përfundimisht në New York, krijon grupin me emrin e tij dhe bën inçizime të shumta. Këngët e tij janë të përfshira në 30 filma artistikë. Punoi palodhur deri në fund të jetës,  ishte pa hyrë në të  shtatëdhjetat  kur e mbylli jetën nga një atak në zemër gjatë kohës që flinte më 6 korrik 1971. Pas vdekjes është nderuar me çmimin e madh muzikor  Grammy  për karrierë të gjatë muzikore në vitin 1972 nga Academy of Recording Arts and Sciences.


ÇARË MREKULLIE  ËSHTË KJO BOTË!

Shoh pemët blerim
Trëndafila të kuq gjithashtu.
Sodis çeljen e luleve,
E mendoj për  mua dhe ty.
Dhe mendoj me veten time,
Çfarë mrekullie është kjo botë!

Shoh qiellin e kaltër,
Dhe retë e bardha.
Shkëlqimin e ditës së bekuar,
Errësirën e natës se shenjtë.
Dhe mendoj me veten time
Çfarë mrekullie është kjo botë!

Ngjyrat e ylberit,
Aq mbresëlënëse në qiell.
Janë edhe në fytyrat,
E njerëzve në udhëtim.
Shoh miqtështrëngim duarsh
Tek thonë: "Si ja kalon?"
Ata në të vërtetë thonë:
"Unë të dua ty!".

Dëgjoj bebet që qajnë ,
tek rriten i shoh.
Ata do të mësojnë më shumë,
Sa unë kurrë s’arrita të mësoj.
Dhe mendoj me veten time,
Çfarë mrekullie është kjo botë!

Po ...
Unë mendoj me veten time,
Çfarë mrekullie është kjo botë!


Shqipëroi: Kolec Traboini



KOSTIS PALAMAS - poezi


KOSTIS PALLAMAS
(1859-1943)

Poeti kombëtar grek që e priti në shtëpinë e tij, në Athinë,
poetin shqiptar, At Gjergj Fishtën.


QIVURI
Fragment nga poezia kushtuar djalit të vet të vdekur
ne moshe te vogel, i vetmi femije qe pati poeti


Në atë udhë ku të shpie
I vdekjes kalorës i zi
Të mos marrësh, të mos marrësh,
Gjë prej gjë nga dor’ e tij.

Edhe etja në të mundoftë
Si në mes të gushtit-verë
Mos pi ujë në atë botë,
Dhiozma jonë shkurt e prerë.

Oh, mos pi, se përgjithmonë
Në shekuj do t’ na harrosh
Dhe gjatë rrugës vër shënja,
kur të kthehesh t`i kujtosh.

Vogëlith - dallëndysh
Zogu ynë krahëlehtë
Ti si armë nuk kishe zhurmat
Kishe trimëri në jetë.

Pa shiko dhe gëzohu
Në ato netët sulltan-zi
Ik ngadalë e tinëzisht
Në jetë kthehu përsëri.

Nga shtëpi e errësirës,
O i shtrenjtë kthehu pas,
Bëhu erë-fluturidhë
E na puth me mall e gaz.

Shqipëroi nga greqishtja K.Traboini
Copyright ©Traboini Shqipërime 2010
Nuk mund të botohen pa leje nga shqipëruesi. Çdo shkelje ndiqet sipas ligjit të drejtave të autorit ku përfshihen edhe shqipërimet.

LORENCO MAVILIS - sonet



LORENCO MAVILIS

Poeti lirik grek me origjinë spanjolle Lorenco Mavilis ka lindur në ishullin e Odises, në Itakë, me 6 qershor 1860. Babai i tij ka qënë konsull i Spanjës në Kretë. Mavilis u rrit në një mjedis familjar me kulturë europiane. Më 1880 shkon në Gjermani për studime në filologji dhe filosofi. Eshtë ndikuar nga idetë e Emanuel Kantit, të Arthur Shopenhauerit dhe Niçes. Veç greqishtes dinte gjuhët sanskrite, indiane, latine, gjermane, italiane, franceze, angleze dhe spanjole. Më 1896 mori pjesë në kryengritjen e Kretës. Një vit më pas gjendët sërish ne lufte, në Epir, ku dhe plagoset në dorë. Në 1910 e zgjodhën deputet në parlamentin grek si përfaqesues i Korfuzit. Njihet si poeti grek që ka marre pjesë në më shumë luftra. E fundit ishte ajo ku grekët luftonin kundër trupave osmane në Drisko të Janinës ku, në krye të një formacioni ushtarak, poeti u vra me 28 nëntor 1912.


LITHI


Fatlumë janë të vdekurit që harrojnë

travajat e jetës. Kur dielli perëndon

e mjegullat ngrihen, mos qaj

edhe sikur trupi yt të jetë në të shuar!


Në këtë orë fryma del e shkon

si një burim i kristaltë që më s'rrjedh

por shpejt uji nis e nxin

prej lotëve tanë për të dashurit që ikën.


Nëse pinë ujin e turbullt te loteve, rikujtojnë

duke kaluar përmes lëndinave të asphodels

dhembjen e vjetër më të cilën përjetësisht flënë.


E nëse s'rri dot pa qarë, në muzg

sytë e ty do të aspirojnë për dritëza jete

do kërkojnë të harrojnë, por kurrë pa mundur.


DIELLI I ATDHEUT


Atdheu im e dua diellin tënd

kurrkun më shumë se këtu nuk ka shkelqim!


Shqipëroi nga greqishtja K.Traboini

Copyright ©Traboini Shqipërime 2010
Nuk mund të botohen pa leje nga shqipëruesi. Çdo shkelje ndiqet sipas ligjit të drejtave të autorit ku përfshihen edhe shqipërimet.

ANGJELOS SIQELIANOS - poezi


ANGJELOS SIQELIANOS
(1884 - 1951)

ANA SIQELIANOS

Varëses së qafës plot margaritarë
që t’i mblodha moteve
tani do t’u këpus lidhësen
që të arratisen tej e përtej botës
që të arratisen tej e përtej kohërave
ku ishe, je, e do të jesh...

VETVRASJA E AXHESIVANOS

Nxënësit të Budës

I pa të metë, e mori thikën Axhesivano.
Dhe ish shpirti i tij në atë orë atje
si pëllumb i bardhë.
Veçse tek rrokullisej e përmbysej në lutësoret
e lutësoreve të qiellit
në natën me yje
ashtu si para kohe rrëzohen lulet e mollës
nga gjoksi flaku frymën e shpirtit të tij.
Të humbura të tillë vdekje nuk venë
sepse vetminë ata dashurojnë
jetën në mister si më të çmuarën.
Mund që t`i quajnë veç qyqarë
e veprat e tyre një dinakëri e madhe
por që pleqërohen pra, me gjakftohtësi hyjnore.

Shqipëroi nga greqishtja: K. TRABOINI

© Copyright Traboini Shqipërime 2010
Nuk mund të botohen pa leje nga shqipëruesi. Çdo shkelje do të ndiqet sipas ligjit të drejtave të autorit ku përfshihen edhe shqipërimet.

MARTIN ESPADA


MARTIN ESPADA

Poet amerikan ka lindur në Nju Jork. Eshtë autor i shumë librave poetikë,eseve dhe antologjive dhe ka fituar shumë çmime për veprat e tij, ndër të cilat Alabanza: poezi të reja e të zgjedhura 1982-2002 (2003) ka marrë çmimin Paterson për kontribut në zhvillimin e letersisë. Martin Espada është profesor në departamentin e anglishtes në Universitetin Massachusetts-Amherst ku jep leksione për poezinë latine si dhe krijimet e Pablo Nerudës.

USHTARET NE KOPESHT

Isla Negra, Kili, shtator 1973

Pas grushtit të shtetit
U shfaqën ushtarët
Në kopshtin e Nerudës, një natë,
E për të vëzhguar, vendosën fenerët në pemë
Duke nëmur gurët që i pengonin.
Nga dritarja e dhomës
Ushtarët faniteshin
Si konkuizatorët që prej anijesh pushtuese
Ktheheshin nga deti për të sosur
Plaçiktjen e brigjeve.
Poeti ish në frymën e fundit;
Kanceri i përndezur në trupin e tij
E kish lënguar në shtrat të luftonte me zjarrin.
I qetë, kur togeri u ngjit në dhomën sipër,
Neruda doli përballë e i tha:
Këtu ka vetëm një të rrezikshëm për ju, poezia.
Togeri e vuri helmetën në krahëror
E si i kërkoi falje të moçmit Neruda,
Shtrëngoi vehten të zbriste nga shkallët.
Fenerët u hoqën një nga një prej pemëve.
Ndër tridhjet vjet
Gjithherë kërkuam
Një tjetër folës magjik
Që t’i detyrojë ushtarët
Të zhduken prej kopshteve.

Shqipëroi nga greqishtja: K. TRABOINI

© Copyright Traboini Shqipërime 2010
Nuk mund të botohen pa leje nga shqipëruesi. Çdo shkelje do të ndiqet sipas ligjit të drejtave të autorit ku përfshihen edhe shqipërimet.